Programi i ligjit dhe të
drejtës
Programi i Ligjit dhe së drejtës i Fondacionit të Shoqërisë së Hapur
për Shqipërinë (Fondacioni Soros) ndërtohet mbi bazën e parimeve dhe
vlerave të njohura e të pranuara të shtetit të së drejtës, respektimit
të të drejtave dhe lirive të individit dhe forcimit të sistemit
demokracisë në Shqipëri. Këto vlera udhëheqin aktivitetetet, iniciativat
dhe bashkëpunimet e Fondacionit për mbështetje të një shoqërie të hapur
në Shqipëri. Si pjesë integrale e programit të ligjit, aktivitetet
synojnë të arrijnë brenda kornizave strategjike afat-mesme dhe
afat-gjata objektiva të cilat i shërbejnë zhvillimit të institucioneve
të pushtetit gjyqësor në Shqipëri, përmirësimin e qasjes në drejtësi për
çdo individ, barazinë përpara ligjit, shmangien e çdo praktike
diskrimuese dhe respektimin e të drejtave të. Këto çështje ndërtojnë
bazën strategjijke të programit dhe aktiviteteve që mbështeten në kuadër
të zbatimit të tij.
Strategjia 2010-2011:
Liria e informimit, lëvizjes, diversitetit
Për një pjesë të mirë të
dhjetë viteve të fundit, sistemi gjyqësor dhe zbatimi i ligjit në tërësi
në Shqipëri ka pasur tregues të dobët, të politizuar, të varur dhe të
korruptuar. Kaq i rënduar është ky reputacion, saqë pjesa më e madhe e
sondazheve të kohëve të fundit për korrupsionin në vend e rendisin
besimin publik tek gjyqësori dhe zbatimin e vendimeve të tij si më të
ulëtin krahasuar me institucionet e tjera qeveritare.
Analiza të ndryshme të kohëve të fundit konfirmojnë gjithashtu edhe
tipare të tjera që formësojnë mënyrën sesi funksionon shteti i së
drejtës në Shqipëri. Këto tipare kanë shërbyer edhe për përcaktimin e
prioriteteve të strategjisë së programit të ligjit në fondacion për
2010-2011 e cila fokusohet në këto shtylla kryesore:
Liria e informimit dhe antikorrupsioni: E drejta e informimit është ndër
më pak të respektuarat në Shqipëri, por shumë e rëndësishme dhe e
domosdoshme për të rritur transparencën në vendimmarrjen publike. Kjo ka
ardhur si pasojë e disa faktorëve, kryesisht si rezultat i
ndërgjegjësimit thuajse inekzistent të qytetarëve dhe shërbimit civil të
pakualifikuar siç duhet, i cili shpesh është nën trysninë e partive
politike dhe/ose sektorit privat, duke e prirur atë në shkeljen e të
drejtave të qytetarëve, duke injoruar përgjegjësinë institucionale për
të ofruar shërbime.
Antidiskriminimi: Grupet e përjashtuara, pa përkrahje dhe
romët janë ato që hasen me pjesën më të madhe të problemeve përsa i
përket qasjes në sistemin e drejtësisë. Këto nuk arrijnë t’u qasen
shërbimeve publike, pasi institucionet janë të largëta, të ngadalta dhe
të papërballueshme në kosto, por mbi të gjitha edhe për shkak se ato
institucionet janë të njëanshëm dhe diskriminues. Rastet e diskriminimit
në Shqipëri janë të shumta por jo të dokumentuara dhe të analizuara mbi
bazë periodike.
Të drejtat e personave me aftësi të kufizuara: Një tjetër
fushë e rëndësishme e cila ka nevojë të përmirësohet janë marrëdhëniet e
punës nën kontekstin e përfshirjes së personave me aftësi të kufizuara.
Në përgjithësi legjislacioni në këtë fushë mund të konsiderohet i plotë
por kjo nuk do të thotë që ai nuk ka nevojë për rishikim dhe plotësim
në përgjigje të zhvillimeve të reja, fenomeve të ndyshme që ndihmojnë
ose pengojnë përfshirjen sociale të personave me aftësi të kufizuara.
Pra ekziston nevoja e përmirësimit të dispozitave të caktuara, në
veçanti të çështjeve që lidhen me kontratat e punës (si individuale dhe
kolektive), sigurimet shoqërore, etj duke u fokusuar në standartet që
zbatohen aktualisht në Bashkimin Evropian mbi të drejtat e personave me
aftësi të kufizuara.
Të drejtat e migrimit: Emigrimi i cili tashmë është një
fenomen i njohur për shoqërinë shqiptare, në shumë raste, shoqërohet me
pasoja dhe dukuri të tjera negative, si keqtrajtimi si rasti më i egër i
diskriminimit të emigrantëve shqiptarë, mohimi i të drejtave të tyre
social-ekonomike si arsimi, shërbimet konsullore etj. I ashtuquajturi
“operacioni fshesa” i kryer nga policia greke në mënyrë që të dëbojë
emigrantët shqiptarë nga territori i shteti fqinj, shpesh ka shërbyer si
zëvendësim për politikën e emigracionit ose politikën e parandalimit të
krimit nga ana e qeverisë së Greqisë. Gjatë këtyre operacioneve kanë
ndodhur shumë shkelje ekstreme të të drejtave dhe lirive themelore të
njeriut. Por jo të gjitha këto çështje janë bërë publike, dhe as nuk u
janë kthyer të drejtat e cenuara personave përkatës.
Kundrejt çështjeve të mësipërme, Fondacioni vlerëson si përparësi
strategjike, përmirësimin e kuadrit ligjor në fuqi për respektim
të të drejtave të njeriut duke forcuar rolin e shoqërisë civile në
avokim dhe monitorim.
Për informacione të mëtejshme mbi Programin mund të lidheni me Admir Duraj, koordinatorin e programit në adresën aduraj@osfa.soros.al.