Programi i qeverisjes dhe administratës publike i OSFA përmbledh një tërësi aktivitetetesh, iniciativash dhe bashkëpunimesh të cilat në përgjigje të sfidave për të konsoliduar një shoqëri të hapur në Shqipëri, synojnë të arrijnë brenda kornizave strategjike afat-mesme dhe afat-gjata objektiva të cilat i shërbejnë zhvillimit të institucioneve demokratike, transparencës në vendimmarrjen e të gjitha niveleve, si dhe forcimit të zbatimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të individit.
Këto objektiva nuk janë zgjedhje rastësore, por synojnë përmirësim të praktikave të qeverisjes në nivel vendor dhe qëndror në Shqipëri përmes aftësimit dhe konsolidimit të një administrate publike efektive në kryerjen e detyrave dhe shërbimeve, duke sjellë shtetin sa më pranë qytetarit.
Strategjia 2010-2011: Administrata publike, Qeverisja vendore dhe Programi i integrimit në BE
Zhvillimi i një sistemi mbi bazë merite i administratës publike është shumë i rëndësishëm për forcimin institucional dhe të shtetit ligjor në tërësi, si dhe suksesin e reformës së administratës publike në Shqipëri. Reforma e administratës publike filloi në vitin 1999-2000 me miratimin e Ligjit “Për Nëpunësin Civil”, por administrata publike nuk e përballoi testin e rotacionit të personelit. Zëvendësimi i stafit të kualifikuar dhe të trajnuar me mbështetës partiakë në administratën publike mbetet ende shqetësim. Kjo gjë ka dobësuar kapacitetet e administratës publike, dhe nga ana tjetër ka krijuar një barrë të rëndë në financat publike pasi shumë nga nëpunësit civilë janë paguarn nga buxheti i shtetit për një periudhë një vjeçare në zbatim të vendimit të gjykatës.
Situata aktuale në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian imponon një monitorim të ngushtë të performancës së institucioneve publike, nxitjes së debatit publik për të siguruar se ka progres drejt një shërbimi civil të pavarur, të bazuar në merita profesionale, si përparësi kryesore e punës së qeverisë në të gjitha nivelet.
Departamenti i Administratës Publike, më parë nën drejtimin e Kryeministrit, tani është vendosur nën varësit të Ministrisë së Brendshme. Pavarësia e Komisionit të Shërbimit Civil pas ndryshimit të të gjithë anëtarëve dhe emërimit të anëtarëve të rinj nga Parlamenti në vitin 2005, vihet seriozisht në pyetje dhe funksionet e tij janë dobësuar ndjeshëm në zbatim.
Pavarësisht nga progresi i bërë, buxheti i shtetit gjatë tri vendet e fundit kanë qenë objekt i rishikimeve të shpeshta në mes dhe në fund të vitit ose për të shtuar ose për të hequr shpenzime, gjë që dëshmon parashikime buxhetore dhe kapacitete formuluese të dobëta e në veçanti për sektorë parësorë, të tillë si shëndetësia, arsimi dhe infrastruktura.
Kapacitetet e qeverive vendore për të mbledhur taksa dhe të ardhura mbeten ende të dobëta. Nga ky aspekt, dhe ndërsa Shqipëria është bërë pjesë e EITI -së (Iniciativa për transparencë në industritë nxjerrëse) në vitin 2009, ekziston nevoja e rritjes së transparencës dhe e përgjegjshmërisë nga institucionet publike dhe ndërmarrjet, duke mbështetur pjesëmarrjen dhe monitorimin e planifikimit të buxhetit dhe ekzekutimin e shpenzimeve, të financuar nga fondet e brendshme dhe donatore (IPA - Instrumenti i ndihmës së para-antarësimit) në fushat parësore si në nivelin qendror dhe në atë vendor.
Kundrejt panoramës së mësipërme, Fondacioni vlerëson si përparësi strategjike, çështjet e mëposhtme tek të cilat ofron mbështetje dhe synon rezultate konkrete:
Prioriteti 1: Përmirësimi i qeverisjes në nivel qëndror dhe vendor.
1.1. Dhënia e kontributit për transparencën dhe përgjegjshmërinë e qeverisë.
1.2. Dhënia e kontributit për forcimin e kompetencave të decentralizuara të pushtetit vendor.
Prioriteti 2: Mbështetje për proçesin e integrimit evropian.
2.1. Kontribut dhe pjesëmarrje aktive për të nxitur progresin e Shqipërisë për pranim në BE.
Për informacione të mëtejshme mbi Programin mund të lidheni me Admir Duraj, koordinatorin e programit në adresën aduraj@osfa.soros.al.